Secondary Adv

Interesat e kredisë për shtëpi ranë për të dytin vit radhazi në 2025

Norma mesatare e interesit për kreditë për banesa në lekë zbriti në 4.19% në fund të 2025, ndërsa kredia e re arriti rekord historik prej 64.4 miliardë lekësh.

Normat në nivelet më të ulëta që nga 2022

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash në lekë në dhjetor 2025 ishte 4.19%, nga 4.52% një vit më parë. Kjo përfaqëson nivelin më të ulët që prej mesit të vitit 2022.

 

Edhe kreditë për shtëpi në euro pësuan një rënie të lehtë të normës mesatare të interesit, duke zbritur në 5.18% nga 5.26% në fund të 2024. Diferenca mes normës në euro dhe asaj në lekë arriti në 0.99 pikë përqindje, nga 0.74 pikë përqindje një vit më parë.

 

Rekord i ri për kredinë e re

Gjatë vitit 2025, kredia e re për blerje banesash arriti në 64.4 miliardë lekë, ose rreth 658 milionë euro, duke shënuar rekord historik. Krahasuar me vitin 2024, kredia e re u rrit me 17.3%, ritëm më i lartë se rritja prej 13% e një viti më parë.

 

Portofoli aktiv i kredisë për shtëpi në fund të 2025 arriti në 243.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 16.7%, duke reflektuar një përshpejtim krahasuar me 15.5% të vitit 2024.

 

Dominon monedha vendase

Normat më të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të dominohet nga monedha vendase. Në vitin 2025, kredia e re në lekë arriti në 48.5 miliardë lekë, në rritje me 18.6% krahasuar me një vit më parë, duke përbërë mbi 75% të totalit të disbursimeve të reja për banesa.

 

Kredia në euro iu rikthye rritjes pas një frenimi të përkohshëm në 2024, duke arritur në vlerën e barasvlefshme të 16 miliardë lekëve, me një rritje prej 14.3% në terma vjetorë.

 

Masat kufizuese nuk e frenuan ritmin

Rritja e shpejtë e kreditimit për pasuri të paluajtshme ka nxitur shqetësime te Banka e Shqipërisë. Që prej 1 korrikut 2025, bankat janë të detyruara të respektojnë kufizime të reja për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, me qëllim administrimin më të kujdesshëm të rrezikut.

 

Megjithatë, shifrat e vitit 2025 tregojnë se këto masa nuk kanë arritur të frenojnë rritjen e kredisë për shtëpi, e cila mbetet e mbështetur nga normat e ulëta të interesit dhe pritshmëritë për rritje të mëtejshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat